Në Bashkinë Lezhë, programi “EU4Schools”, ka bërë të mundur rindërtimin dhe/apo riparimin e plotë të dy objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Përmes një publikimi në rrjete sociale, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri bën me dije se këto dy institucione arsimore janë shkolla 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” dhe shkolla 9-vjeçare e kopshti “Fran Ivanaj”, Ishull-Shëngjin.

Pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Programi “EU4Schools” (“BE për Shkollat”) ka siguruar mjedise më të sigurta dhe bashkëkohore për afro 1 000 nxënës, fëmijë dhe mësues të këtyre dy institucioneve, si dhe 68 000 banorë të komuniteteve të prekura.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milioë euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Deri tani në kuadër të këtij projekti janë përfunduar 61 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-s, duke ndikuar në jetën e mbi 25 000 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve.