Bashkimi Evropian njoftoi se do të fillojë zbatimin e kontrollit të automatizuar kufitar pas dy muajsh, i cili përfundimisht do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave.
Ky sistem i ri do të regjistrojë në një skedar të përbashkët emrat, numrat e pasaportave, gjurmët e gishtërinjve dhe fotot e të gjithë shtetasve të vendeve të treta që udhëtojnë në Evropë për një qëndrim të shkurtër.
“Kjo do të na ndihmojë të dimë se kush po hyn dhe po del nga BE-ja”, tha komisioneri evropian për Migracionin, Magnus Brunner.
Zbatimi i këtij sistemi, i cili ka qenë në diskutim për gati 10 vjet, megjithatë, do të zbatohet gradualisht me kalimin e kohës.
“Shtetet anëtare, udhëtarët dhe bizneset do të kenë kohë të përshtaten me sistemin e ri”, deklaroi Komisioni.
Sistemi “hyrje/dalje” po shkakton ngurrim midis disa kompanive të transportit, të cilat kanë frikë se do të zgjasë radhët në aeroporte dhe stacione treni.
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, shprehu gjithashtu shqetësimin se sistemi mund të shkaktojë kaos në qytetin e tij, veçanërisht në stacionin St. Pancras, nga nisen dhe mbërrijnë trenat e Eurostar.
Autoritetet britanike i kanë paralajmëruar tashmë qytetarët e tyre se do të kërkohen “disa minuta” kohë shtesë pritjeje për “çdo pasagjer” që të kalojë kufirin.
Komisioni Evropian siguron se fushatat informuese do të ndihmojnë në lehtësimin e këtij sistemi.
Ai këmbëngul se ai do të “parandalojë migrimin e parregullt dhe do të mbrojë sigurinë e qytetarëve evropianë”.
Njëzet e nëntë vende do të marrin pjesë në këtë kontroll të automatizuar, të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros dhe Irlandës, si dhe Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Zvicra.