Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj organizojnë Ditën Botërore të Hepatiteve për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për hepatitet dhe për pasojat që ato shkaktojnë në organizëm dhe shëndetin e njerëzve.

Instituti i Shëndetit Publik thekson se mesazhi i fushatës ndërgjegjësuese për këtë vit është “T’i thyejmë barrierat!”.

Në një njoftim, ISHP bën me dije se hepatiti është një “vrasës i heshtur” që prek miliona jetë çdo vit, por mund të parandalohet dhe të trajtohet.

“Çdo vit, 1.3 milionë njerëz humbin jetën nga hepatiti B dhe C. Vetëm 45% e të porsalindurve vaksinohen në orët e para të jetës. Kemi gjithçka që na duhet për ta eliminuar hepatitin deri në vitin 2030, por duhet të veprojmë tani”, thuhet në njoftim.

Hepatiti prek njerëzit më të rrezikuar. Mbi 90% e rasteve të reja me hepatit B ndodhin nga transmetimi nga nëna tek fëmija, si dhe gjatë fëmijërisë së hershme. Grupe të tjera janë gjithashtu në rrezik të lartë nga hepatiti B dhe C, përfshirë njerëzit që injektojnë drogë, njerëzit që bëjnë tatuazhe, partnerët e atyre që janë me hepatit B, si dhe stafi shëndetësor.

ISHP fton qytetarët që të testohen dhe informohen në thyerjen e stigmatizimit për sa i takon hepatiteve, ndërsa të porsalindurit kanë protokollin e vaksinimit.