Pas një prej ditëve më të nxehta në dy apo tre dekadat e fundit, Shqipëria ndodhet nën ndikimin e një vale të fortë të nxehti, që ka përfshirë thuajse gjithë territorin, përfshirë edhe zonat malore, një fenomen jo i zakontë për klimën tonë. Meteorologia Lajda Porja tha në emisionin “Aldo Morning Shoë” në Tv Klan se ditën e djeshme u afrua, madje sipas disa vlerësimeve mund të jetë thyer, rekordi i temperaturës prej 44 gradësh Celsius i shënuar në qarkun e Beratit në vitin 1993. Ajo theksoi se ndryshe nga zakonisht, kulmi i të nxehtit është regjistruar në orën 15:00, me temperatura që në disa zona kanë kapur mbi 42 gradë edhe sot, ndonëse me një rënie të lehtë dhe thuajse të pandjeshme krahasuar me ditën e djeshme. Por, lajmi që sjell lehtësim për qytetarët është ardhja e një mase të ftohtë ajrore nga Europa Veriore, e cila pritet të godasë Ballkanin që prej ditës së diel, 27 korrik. Kjo përplasje mes dy masave të kundërta ajrore do të sjellë një rënie të menjëhershme të temperaturave, me maksimumet që do të zbresin në rreth 34–35 gradë Celsius. “Dita e djeshme ka qenë një nga ditët më të nxehta në dy apo tre dekadat e fundit. Sepse jo se kemi pasur vlera shumë të larta, por ka qenë i gjithë territori duke përfshirë edhe zonat malore, temperatura mjaft ekstreme. Madje dje u diskutua se u thye rekordi i vlerës 43.6, pra 44 gradë në vitin 1993 në qarkun e Beratit. Dje, ndryshe nga zakonisht, vlerat maksimale janë regjistruar në orën 15:00. Duhet thënë që temperaturat janë shumë të larta, gjatë ditës së sotme ka një tendencë në rënie, por shumë pak e ndjeshme. Edhe sot mund të jemi në këto vlera, do të kapim një maksimum mbi 42 gradë në disa zona”. E diela do të shënojë jo vetëm freskim të ajrit, por edhe shtim të erërave dhe rrebeshe të shkurtra shiu, kryesisht në veriun dhe qendrën e vendit. Jugut, ndërkohë, do t’i mungojnë reshjet, duke përjetuar një kalim më të qetë të kësaj situate të përkohshme. Sipas Porjas, kjo është një ndërhyrje e natyrshme klimatike, por gjithsesi e rrallë për intensitetin dhe kontrastin që sjell në një hapësirë kaq të shkurtër kohore.