Gjatë muajit qershor 2025, u shënua një rritje e ndjeshme e lëvizjeve së shtetasve shqiptarë dhe të huaj, duke reflektuar një sezon turistik të gjallëruar dhe një interes të shtuar për vendin.
Sipas të dhënave zyrtare, në territorin shqiptar kanë hyrë gjithsej 2.062.775 shtetas, një rritje prej 7,6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kjo rritje është ndikuar nga një numër i lartë i turistëve të huaj, por edhe nga lëvizjet e shtetasve shqiptarë, të cilët në masë janë rikthyer për pushime apo vizita familjare.
Nga kjo shifër, 733.571 janë shtetas shqiptarë që kanë hyrë në vend, një numër që përfaqëson një rritje prej 8,5% krahasuar me qershorin e vitit 2024. Kjo lëvizje pritet të jetë ndikuar nga sezoni veror dhe kthimi i emigrantëve për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
Nga ana tjetër, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë arritur në 1.329.204, me një rritje prej 7,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke konfirmuar tendencën e rritjes së Shqipërisë si një destinacion i preferuar turistik në rajon.
Edhe daljet nga vendi kanë ndjekur një ritëm të ngjashëm rritjeje.
Në total, 1.918.569 shtetas shqiptarë dhe të huaj kanë dalë nga territori i Shqipërisë, një rritje prej 7,2% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Konkretisht, 710.963 shtetas shqiptarë kanë lënë vendin, një rritje e konsiderueshme prej 10,7%.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se 94% e t[ huajve vijnë nga kontinenti evropian. Brenda këtij kontingjenti, Evropa Jugore zë vendin kryesor me 70% të hyrjeve, duke u ndjekur nga Evropa Perëndimore dhe ajo Qendrore/Lindore, secila me nga 11%.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar është në 98% të rasteve personal, ku mbizotërojnë pushimet, vizitat familjare dhe aktivitetet sociale.
Kjo kategori ka pasur një rritje prej 6,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, vërehet rritje në hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale, me 27,9%.