Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici informoi sot se forcat operacionale në bashkëpunim edhe me Forcat e Armatosura po vijojnë prej ditësh punën në terren për shuarjen e vatrave të zjarrit dhe monitorimin e zonave me rrezik të lartë, në këto ditë të nxehta. Në deklaratë e përditshme për mediet, Bici tha se sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra zjarri. Deri më tani është bërë i mundur izolimi i vatrave në: fshatin Halil, bashkia Krujë, fshatin Velçan, bashkia Berat, fshatin Bogë dhe Fshatin Flakë bashkia Malësi e Madhe. Po ashtu janë izoluar vatrat e zjarrit në fshatrat Shkallnur, bashkia Durrës, Barbullush bashkia Vau – Dejës, Shargë, bashkia Vorë, Shijon, bashkia Elbasan, Shtëpanjë, bashkia Cërrik, Qaf Shkallë, bashkia Belsh, Gravë – Burimi Merkos, bashkia Finiq, Helshan, bashkia Has. Dragobi, bashkia Tropojë. Në aksionet për shuarjen e flakëve gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 436 efektivë zjarrfikës, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare, 29 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter. Helikopteri i Forcës Ajrore ka operuar në fshatin Ndërshen, Bashkia Mirditë. Aktualisht janë aktive vatrat në fshatin Ndërshen, bashkia Mirditë, Vinjollë, bashkia Kurbin dhe Qukës Skëndërbej, bashkia Prrenjas. “Në këtë situatë që ka përfshirë të gjithë rajonin e Evropës, u bëjmë thirrje banorëve të territorit të Republikës së Shqipërisë të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë në kohë pranë shërbimit zjarrfikës çdo vatër zjarri. Kujtojmë se zjarrvënia e qëllimshme dënohet sipas ligjit”, tha Bici.https://ata.gov.al/2022/07/28/bici-16-vatra-zjarri-ne-24-oret-e-fundit-436-efektive-ne-terren/