Qeveria ka propozuar një projektligj të ri “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, i cili parashikon një periudhë të re për rivlerësimin e pronave nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, me tatim të reduktuar 5% mbi vlerën e rivlerësuar.

Kjo përqindje është më e ulët se normat standarde të tatimit që aplikohen në mungesë të rivlerësimit, dhe ka si qëllim të nxisë formalizimin e tregut dhe deklarimin real të vlerave gjatë shitblerjes së pronave.

Përmes këtij procesi, qytetarët dhe subjektet juridike do të kenë mundësinë të përshtatin vlerën e pronave të tyre me çmimet aktuale të tregut, duke shmangur kështu ndryshimet e mëdha midis vlerës së regjistruar dhe asaj reale.

“Përfitues janë qytetarët që posedojnë pasuri të regjistruara ose në proces regjistrimi, subjektet juridike që duan të përshtasin pasqyrat financiare me vlerat reale të pasurive të tyre, si dhe pronarët që planifikojnë shitjen e pronës dhe duan të reduktojnë barrën tatimore”, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit.

Procesi i rivlerësimit do të jetë i thjeshtuar dhe do të zhvillohet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Pronarët do të duhet të dorëzojnë kërkesën për rivlerësim brenda afatit të përcaktuar, të sigurojnë një vlerësim të pronës bazuar në çmimet referuese ose nga ekspertë të licencuar, dhe më pas të kryejnë pagesën e tatimit prej 5% mbi diferencën e krijuar nga rivlerësimi. Vetëm pas pagesës, vlera e re do të regjistrohet zyrtarisht.

Kjo nismë synon të përmirësojë ndjeshëm saktësinë e regjistrave të pasurive të paluajtshme, të rrisë transparencën në transaksionet e pasurive, dhe të shmangë fenomenin e deklarimeve fiktive të vlerave të ulëta në momentin e shitblerjes.

Sipas Ministrisë së Financave, përvoja e mëparshme nga aplikimi i ligjeve të ngjashme, ka treguar se ekziston një interes i lartë nga qytetarët për të përfituar nga mundësia e rivlerësimit të pasurisë, çka është reflektuar në rritjen e ndjeshme të numrit të aplikimeve dhe transaksioneve të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkohë, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se çmimet e banesave, në rang vendi, kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 16,9%, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë me 23,6%.

“Kjo tendencë rritëse, krahasuar me periudhën e fundit të rivlerësimeve në vitin 2022, e bën të domosdoshëm një përditësim të vlerës së pasurive të paluajtshme në përputhje me realitetin e tregut”, thuhet në relacion.

Ky projektligj do të ketë gjithashtu ndikim pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit, përmes rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi rivlerësimin i cili propozohet të jetë në normën 5%, pa patur nevojë për ndryshime të normave tatimore ekzistuese. Kjo e bën atë një instrument efikas dhe të qëndrueshëm për politikën fiskale.

Kjo është hera e katërt që po zbatohet rivlerësimi i pronave me norma të reduktuara.