Çdo orë, më shumë se 30 njerëz në mbarë botën humbasin jetën në pishina, dete, lumenj ose liqene.
Kjo barazohet me mbi 300 000 vdekje çdo vit ose tre milionë në dekadën e fundit.
Ky numër tragjik, por i parandalueshëm, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “përfaqëson një shkak kryesor të vdekjes në nivel global, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë” dhe “kërkon ndërhyrje urgjente”.
Gjatë muajve të verës, rastet tragjike shfaqen shpesh në lajme. Fëmijët e vegjël janë viktimat kryesore të ujit. Sipas Raportit të parë Global të OBSH-së mbi Parandalimin e Mbytjeve, mbytja është shkaku i tretë kryesor i vdekjes tek fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç, me norma më të larta në zonat rurale dhe të varfra.
Fëmijët nën 5 vjeç përbëjnë gati një të katërtën e viktimave, ndërsa mbi gjysma e vdekjeve përfshijnë njerëz nën 30 vjeç.
Një pjesë e konsiderueshme e mbytjeve përfshijnë të rritur pa përvojë që mbivlerësojnë aftësitë e tyre në ujë të hapur, ndërsa në një masë më të vogël, ato lidhen me sëmundje të papritura.
Edhe ujërat e brendshme, siç janë liqenet dhe lumenjtë, janë të rrezikshme. Për të zvogëluar rreziqet, ekspertët rekomandojnë zgjedhjen e vendeve të mbikëqyrura nga personel i kualifikuar, shmangien e rrymave, respektimin e sinjalistikës, marrjen e mësimeve të notit që në moshë të vogël, shmangien e zhytjes pas vakteve të mëdha ose ekspozimit të zgjatur në diell.