Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit është evidentuar në Durrës, në zonën ku po rindërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”.

Bëhet fjalë për një vilë romake me mozaikë me motive gjeometrike, struktura muresh dhe materiale të tjera arkeologjike me vlera të jashtëzakonshme.

Për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri, arkitekti spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës, duke ndërtuar një koncept ku ndërthuren edukimi dhe trashëgimia. Projekti i ri do të mundësojë ekspozimin publik të gjetjeve, duke i integruar ato në infrastrukturën e shkollës.

Ky është një model unik zhvillimi që synon transformimin urban dhe arsimor të qytetit, si dhe promovimin e turizmit kulturor.

Institucionet shqiptare, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin e Arkeologjisë dhe Bashkinë e Durrësit, do të ndjekin nga afër dokumentimin, mbrojtjen dhe përfshirjen e gjetjeve në projektin e ri.