Bizneset lokale në bashkitë Korçë, Pogradec dhe Përrenjas kanë tashmë një mundësi të re për zhvillim dhe inovacion.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur sot se është hapur një thirrje për aplikime që ofron grante deri në 50 000 euro për nisma që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovojnë ekonominë qarkulluese.
Programi i mbështetur nga GIZ synon të ndihmojë bizneset që veprojnë në sektorë si turizmi, agropërpunimi, fasoneria, apo edhe në fusha të reja si menaxhimi i mbetjeve dhe zgjidhjet inovative për qytete më të pastra. Iniciativa u drejtohet sipërmarrësve që kanë ide me potencial për të gjeneruar ndikim pozitiv mjedisor dhe ekonomik në nivel vendor.
Thirrja për aplikime është e hapur deri më 15 gusht 2025, ndërsa për të informuar më mirë të interesuarit, më 17 korrik u organizuan dy seanca informuese në qytetet e Korçës dhe Pogradecit. Këto takime u zhvilluan në kuadër të programit “Zero City Lab”, një nismë që synon të ndërtojë qytete më të gjelbra dhe më të qëndrueshme përmes bashkëpunimit me komunitetin dhe sektorin privat.