Janë hapur tashmë prej pak ditësh aplikimet për Paketën e Maleve. Pas miratimit në Kuvend dhe botimit në Fletoren Zyrtare tashmë ka nisur zbatimi i ligjit nga i cili parashikohet të mbështeten 500 projekte që do të përfitojnë lehtësi fiskale.

Përmes “Paketës së Maleve” synohet: zhvillim i qëndrueshëm i ekonomisë rurale; promovimi i produkteve “Made in Albania”; lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin; politika fiskale stimuluese dhe zgjerim i hartës turistike.

Nisma për “Paketën e Maleve” përmes projektit “Investo në tokën tënde”, synon të ofrojë një qasje realiste për tërheqjen e investimeve në zonat malore të vendit, falë politikave të reja të mbështetjes kundrejt investitorëve.

Paketa synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.