Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALERezultatet e deritanishme të punës studimore të grupit kërkimor të ASHSH-së mbi...

Rezultatet e deritanishme të punës studimore të grupit kërkimor të ASHSH-së mbi COVID-19 

Grupi kërkimor i ngritur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për studimin e përgjigjes imunitare të popullatës shqiptare ndaj COVID-19 ka botuar së fundmi artikullin “Vlerësimi i seroprevalencës së antitrupave SARS-CoV-2: Rëndësia e tyre për kuptimin e imunitetit të populates shqiptare në fund të valës së variantit Alfa të virusit, (Estimating the seroprevalence of SARS-CoV-2 antibodies: Understanding population-level immunity in Albania at the end of the Alpha variant wave)” (https://jogh.org/2022/jogh-12-03054) Në një njoftim për shtyp ASHSH thekson se, “artikulli është botuar në revistën shkencore prestigjioze ndërkombëtare “Journal of Global Health” me faktor impakti 7.6 (https://jogh.org/ ) dhe paraqet rezultatet e deritanishme të punës studimore të grupit kërkimor të AShSh-së mbi COVID-19. Këto rezultate shkencore origjinale janë të vetmet deri tani në rajonin e Ballkanit që paraqesin dinamikën dhe veçoritë e hasjes së antitrupave në popullatën e përgjithshme të rritur shqiptare që nga qershori i vitit 2020 deri në korrik 2021. Në qershor 2020 kjo seroprevalence ishte 7.5%, ajo u ngjit në 48.2% në dhjetor të 2020 dhe arriti vlerën 73.3% në korrik të vitit 2021. Studimi analizon në mënyrë të detajuar praninë e antitrupave ndër ata që e kishin kaluar infeksionin apo që ishin vaksinuar si dhe sipas grupmoshave apo karakteristikave të tjera. Me interes ishte rezultati që antitrupat u gjendën pozitivë në 42.3% të individëve që nuk referonin as të ishin të vaksinuar dhe as të kishin kaluar infeksionin”. Veçanërisht interesante janë dhe rezultatet mbi nivelin e antitrupave në raport me llojin e vaksinave që u aplikuan në Shqipëri gjatë vitit 2021. “Ky publikim shkencor ndërkombëtar është një rezultat i rëndësishëm i aktivitetit kërkimor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe e rendit vendin tonë në të njëjtën linjë me vendet e përparuara në studimin e imunitetit ndaj COVID-19 në popullatën e përgjithshme”, thuhet në njoftimin e ASHSH.http://ata.gov.al/2022/07/27/rezultatet-e-studimit-te-ashsh-se-mbi-covid-19-botohen-ne-shtypin-nderkombetar/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments