Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur sot se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është rikthyer si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti kujtoi se në vitin 2018, gjatë qeverisjes së mëparshme, Kosova ishte përjashtuar nga ky organizëm evropian. “Shtatë vite më vonë, me qeverisjen tonë, kjo agjenci rikthehet si anëtare me të drejta të plota në këtë organizëm evropian,” theksoi ai.
Sipas Kurtit, ky zhvillim dëshmon përkushtimin institucional për të përmbushur standardet më të larta evropiane në fushën e arsimit të lartë dhe për të krijuar kushte të përshtatshme për suksesin akademik të studentëve të Kosovës.