Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEMë shumë punonjës psiko-socialë dhe mësues ndihmës në shkolla

Më shumë punonjës psiko-socialë dhe mësues ndihmës në shkolla

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka ndarë sot lajmin e mirë që vitin e ardhshëm shkollor 2022–2023 do t’u shtohen ekipeve të shkollave edhe 235 punonjës të rinj psiko-socialë dhe 250 mësues ndihmës. Sipas ministres, këto vendime jo vetëm që do të shërbejnë më tej për rritjen e cilësisë në sistemin arsimor, por do të garantojnë edhe më shumë gjithëpërfshirje, mbrojtje dhe siguri për nxënësit në mjediset arsimore. “Sot dua të ndaj me ju dy vendime të rëndësishme që kemi marrë së fundi në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për vitin shkollor 2022-2023. Janë dy vendime që rrisin cilësinë e arsimit, garantojnë gjithëpërfshirjen dhe më shumë mbrojtje dhe siguri për nxënësit në institucionet arsimore. Vendimi i parë ka të bëjë me rritjen e numrit të punonjësve psiko-socialë. Vitin e kaluar e dyfishuam këtë numër dhe sot kemi 634 punonjës psiko-socialë në shkollat e të gjithë Shqipërisë”, nënvizoi Kushi. Por, vijoi ministrja, nisur nga rëndësia dhe nevoja që kanë nxënësit dhe mësuesit tanë për këtë shërbim sot kemi vendosur ta rrisim edhe më tej numrin e tyre me 235 punonjës të rinj.

“Në këtë mënyrë do të kemi më shumë punonjës të dedikuar për këtë shërbim në shkollat tona duke rritur cilësinë dhe duke u përafruar më shumë me standardet bashkëkohore për numrin e nxënësve që duhet të mbulojë më shërbim një punonjës psiko-socialë”, tha Kushi. Sipas saj, nëpërmjet këtij vendimi rrisim cilësinë e shërbimit jo vetëm në shkollat në qendër të qyteteve, por edhe në periferi, në zona të largëta, ku deri më sot ka qenë shumë e vështirë vendosja e një punonjësi psiko-social për çdo shkollë. Ministrja Kushi u shpreh se “vendimi i dytë ka të bëjë me rritjen e numrit të mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe me 250 mësues të rinj në të gjithë Shqipërinë. Vitin e ardhshëm do të kemi mbi 1700 mësues ndihmës duke u afruar më shumë me standarde e BE një mësues për dy nxënës me aftësi ndryshe”. Kushi ftoi të gjithë mësuesit, prindërit dhe drejtuesit e shkollave që të bashkëpunojnë sa më ngushtë me njëri tjetrin dhe zyrat arsimore, në mënyrë që fëmijët me aftësi ndryshe të marrin të gjithë vëmendjen e duhur që në fazë të hershme, dhe të përfitojnë një shërbim sa më cilësor nga mësuesit ndihmës. “Ndërkohë ne do të vijojmë të punojmë intensivisht për trajnimet e vazhdueshme dhe rritjen e kapaciteteve profesionale, jo vetëm të punonjësve të rinj, por edhe atyre tashmë me përvojë në sistem, sepse fëmijët tanë meritojnë më të mirën”, përfundoi Kushi.http://ata.gov.al/2022/07/27/kushi-me-shume-punonjes-psiko-sociale-dhe-mesues-ndihmes-ne-shkolla/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments