Ministri Malaj u shpreh se zbatimi me efikasitet i Grancisë Sovrane kërkon pjesëmarrje aktive edhe nga vetë fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në të gjithë vendin.
Gjithashtu, Malaj tha se “të gjithë do të duhet të përfitojnë nga kjo mbështetje e drejtëpërdrejtë, për të investuar, për të zgjeruar aktivitetin bujqësor duke përfituar nga avantazhi që ofrojnë kreditë e buta me kushte të favorshme”.
“Është një mundësi që nuk duhet humbur, për të rritur prodhimin, për të modernizuar pajisjet, për të hyrë në agroturizëm, në përpunim, apo në sektorë të tjerë me potencial të madh”, cilësoi ai.
“Vetëm përmes një pjesëmarrjeje të gjerë dhe të organizuar të biznesit të vogël dhe të mesëm, të mbështetur nga një sistem bankar më aktiv dhe më proaktiv, do të mund të sigurojmë një shtrirje reale dhe efektive të kësaj nisme, duke garantuar që fondet të shkojnë aty ku ka më shumë nevojë dhe ku ndikimi është më i madh”, tha Malaj, ndërsa shtoi se Qeveria shqiptare, veçanërisht Ministria e Financave është e angazhuar të krijojë mjedisin e duhur financiar, ligjor dhe rregullator me qëllim nxitjen e investimeve në sektorët prioritarë të zhvillimit ekonomik.
“Garancia Sovrane për Bujqësinë është vetëm një nga hapat dhe suksesi i saj varet nga angazhimi i secilit prej nesh. Unë shpreh bindjen e plotë se duke punuar së bashku do të mund të ndërtojmë një model të ri zhvillimi i cili do të na shërbejë për ta bërë bujqësinë tonë më konkurruese, në kuadër edhe të procesit të integrimit europian”, përfundoi Malaj.