Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv.
Një ndër itineraret më të vizituara të këtij liqeni është ai në pjesën lindore, ku ndodhen edhe zambakët.
Duke qenë se Liqeni i Shkodrës është zonë e mbrojtur, është habitati i disa shpendëve, por edhe i zambakut të bardhë dhe të verdhë, të cilët ndodhen në pjesën lindore të liqenit.
Zambaku si i bardhë ashtu dhe i verdhë shtrihen në një pjesë të konsiderueshme në pjesën lindore të liqenit. E veçantë e këtyre zambakëve është se ata ndryshojnë nga njëri-tjetri, si nga forma, ngjyra gjethja dhe madhësia.
Por e rëndësishme është se zambaku i bardhë është habitati kryesor ku folezon dallëndyshja faqebardhë (Chlidonias hybrida), e vetmja familje e këtij shpendi që folezon në Liqenin e Shkodrës.
Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madhi në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.