Politikat e qeverisë për rritjen e pagave dhe luftën kundër informalitetit kanë sjellë rezultate pozitive në të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë periudhës janar–maj 2025, janë mbledhur 71 miliardë lekë nga kontributet, duke shënuar një rritje prej 7.7 miliardë lekësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në total, të ardhurat kontribuese janë rritur me 12.1%, ndërsa vetëm ndaj planit të parashikuar, rritja është 8.2%.
Ky rezultat vjen si pasojë e ndërgjegjësimit të bizneseve, aksionit kundër informalitetit të pagave dhe thirrjeve të vazhdueshme për vetëpërmbushje fiskale.
Autoritetet tatimore theksojnë se do të vijojnë monitorimin dhe mbështetjen për të garantuar zbatim të drejtë dhe të plotë të detyrimeve ligjore nga çdo subjekt.