Burimet Termale të Sarandoporit, thesari i vlerave natyrore ,mjekësore dhe turistike, po tërheqin një fluks të lartë vizitorësh, sidomos të huaj, të cilët kanë gjallëruar ekonominë lokale.
Ujërat termale të “Sarandoporit” pak minuta larg nga qyteti i Leskovikut, janë kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik.
“Burimet Termale Sarandoporo”, monumenti i natyrës, gjendet pranë fshatit Kuqesh të Leskovikut në rrethin e Kolonjës, buzë lumit Sarandoporës që është një degëzim i Vjosës.
Përveçse një atraksion turistik shumë i veçantë për të apasionuarit e natyrës, këto burime kanë elementë shumë të pasur kurativë nga karakteristikat gjeologjike e hidrologjike që shfrytëzohen nga vendas e turistë të huaj në të ashtuquajturat vaska termale.
Vendi shtrihet përgjatë një kanioni rreth 200 metra i gjatë, mbi një luginë të rrethuar nga një peizazh natyror me florë dhe faunë të pasur.
Temperatura e ujërave termalë, 430 metra mbi nivelin e detit shkon nga 29 – 40°C dhe janë kurative për reumatizmën.