Tingujt e muzikës klasike nga disa prej kompozitorëve më të njohur italianë u mirëpritën nga publiku durrsakë.
Në repertorin e orkestrës ishin përzgjedhur vepra të kompozitorëve të mëdhenj italianë si Rossini, Puccini, Donizetti dhe Ennio Morricone.
Drejtuesi i orkestrës rinore, Piero Romano tha për mediet se “amfiteatrot u ndërtuan për të mirëpritur evente të mëdha. Edhe pse amfiteatri juaj nuk është i plotë, nga ana teknike nuk do të kemi probleme. Do të përdorim vetëm pak foni. Spektatorët do të dëgjojnë tingujt e instrumenteve në formën e tyre natyrale”.
Ndërsa drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera u shpreh se “kemi orkestrën e të rinjve Magna Grecia, që vjen nga Taranto. Taranto është një qytet arkeologjik i rëndësishëm dhe në këtë mënyrë krijohet një lidhje e ngushtë me Durrësin, qytetin antik të Shqipërisë”.
Koncerti “Mesdheu në muzikë” u zhvillua në kuadër të Javës së Kulturës Italiane. Ky koncert shënoi gjithashtu nisjen zyrtare të sezonit veror artistik në Durrës, i cili këtë vit pritet të sjellë një program të pasur aktivitetesh në sheshin “Liria” dhe në arenën historike të amfiteatrit.