Festivali i Gastronomisë që do të mbahet për 10 ditë në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë ka bërë bashkë qytetarë nga qytete e kultura nga e gjithë rajoni, duke promovuar traditën e kuzhinës shqiptare. Ky festival nisi nën tingujt e artistëve të mëdhenj shqiptarë, Merita Halilit e Raif Hysenit me Orkestrën. Në këtë edicion të “Prishtina Gastronomy Festival” po marrin pjesë edhe artistë nga Kosova në Vlorë si dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Motoja “Bukë e kripë e zemërbardhë” ka bërë që tradita shqiptare të ndjehet në çdo kënd të festivalit, me ushqimet tradicionale si flijat e qebapët, me muzikën shqiptare, sa të Prishtinës, e Dukagjinit, të Tiranës, e Vlorës, e pa harruar edhe meloditë arbëreshe nga Italia. Nata vlonjate me energjinë e jashtëzakonshme të këngëtares së njohur Aurela Gaçe ndezi atmosferën në kryeqytetin e Kosovës. Gjatë gjithë festivalit, përveç ushqimeve atyre tradicionale, po promovohen edhe ushqime moderne, internacionale, e pjata speciale nga kuzhinierë të njohur italian, e turq. Pjatat e prezantuara, shumëllojshmëria e produkteve, mjeshtërit e muzikës, si dhe pjesëmarrja e të gjitha grupmoshave e kanë kthyer këtë festival në një event tejet të veçantë për shqiptarët. Hapja e Festivalit u bë nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Prishtina Gastronomy Festival do të mbahet deri me 31 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 deri në 23:00. Gjatë ditëve në vijim, në këtë festival do performojnë edhe grupe të ndryshme dhe këngëtarë nga Tirana, Struga e qytete të tjera. Po kështu, emra të njohur të gastronomisë, kuzhinierë me përvoja ndërkombëtare do të gatuajnë çdo ditë shije të ndryshme dhe unike të ushqimit.https://ata.gov.al/2022/07/25/festivali-i-gastronomise-promovim-i-tradites-dhe-kuzhines-shqiptare/
Festivali i Gastronomisë, promovim i traditës dhe kuzhinës shqiptare
RELATED ARTICLES