Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALENga Gjermania në Australi, turistët e verës në kalanë e Argjiros

Nga Gjermania në Australi, turistët e verës në kalanë e Argjiros

Në këto ditë vere kalaja e Gjirokastrës po mirëpret vizitorë të ndryshëm. Janë mbi 35 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar kështjellën e gurtë. Krahas vlerave historike kështjella e Argjiros ofron për turistët edhe një pamje mbresëlënëse të qytetit të gurtë. Mysafirë në kështjellë Vizitorët që mbërrijnë gjatë këtyre ditëve korriku në kalanë e gurtë janë vendas po nuk mungojnë edhe vizitorët e huaj. “Është hera e dytë që vizitoj Kalanë e gurtë. Edhe vitin e kaluar kam qenë në Gjirokastër. Është një qytet i veçantë dhe kalaja është një prej pikave më tërheqëse”, thotë një i ri nga qyteti i Tiranës, i cili me një grup bashkëmoshatarësh po kalojnë fundjavën në jug të Shqipërisë. “ Kalaja është me të vërtetë e veçantë. Një monument tërheqës me shumë vlera”, shprehet Anisa që së bashku me familjen e saj po udhëton nga Elbasani për një vizitë turistike në zonën e Gjirokastrës.

Por ka edhe nga ata turistë vendas të cilët vizitojnë për herë të parë kështjellën e Argjiros, duke ngelur të impresionuar nga vlerat e saj. “Do të më ngelet në kujtesë kjo vizitë e parë në kështjellën e gurtë të Gjirokastrës”, shprehet Andi nga Korça. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve vere në kështjellën e gurtë nuk mungojnë edhe turistët e huaj. “Jam nga Gjermania. Është hera e dytë që vizitoj kështjellën por falë bukurisë së saj gjithmonë vizitat këtu janë tërheqëse”, shprehet një tjetër vizitor. Turistët i japin gjallëri mjediseve të kalasë së gurtë. Gjermanë, italianë, grekë, maqedonas, madje edhe turistë nga SHBA, Kanadaja dhe Australia e largët udhëtojnë për të vizituar Gjirokastrën dhe kështjellën e saj, duke qenë pjesë e sezonit turistik në qytetin e gurtë këtë verë. Punimet mirëmbajtëse zgjerojnë hartën e vizitueshmërisë Këtë sezon veror kalaja e gurtë ofron me shumë pika të vizitueshme për turistët. Falë ndërhyrjeve mirëmbajtëse dhe restauruese, të cilat vazhdojnë ende, është bërë e mundur evidentimi i vlerave të reja historike dhe ndërtimore të këtij monumenti. “Ne kemi punuar për pastrimin e bimësisë dhe vegjetacionit në disa zona të kështjellës, duke bërë të mundur jo vetëm lehtësimin e vizitës për turistë por edhe evidentimin e vlerave të këtij monumenti”, shprehen specialistet e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare.

Punë mirëmbajtëse e tyre dhe strukturave të bashkisë Gjirokastër ka bërë të mundur evidentimin e disa dëshmive me vlera historike dhe ndërtimore të kështjellës.Pastrimi nga bimësia i mureve të gurta apo rehabilitimi i zonës në brendësi të kështjellës, krahas dëshmive historike të reja përcjell edhe vlera estetike për syrin e turistëve. “Tashmë turistët kanë më shumë mundësi për të vizituara Kalanë dhe vlerat e saj”, shprehen guidat turistike. “Porsa vizituam kështjellën e Gjirokastrës, është një monument me bukuri të veçantë. Na tërhoqi vëmendjen zona e Kullës së Sahatit, për të cilën kam lexuar edhe në guidat turistike për kalanë”, thotë Elga, turiste nga Bjellorusia. “Është vizita ime e parë në Gjirokastër. Këtu në kala më duket i veçantë ky mjedis ku janë ekspozuar edhe disa armë të mesjetës”, thotë Mario nga Italia. Ndërkohë edhe rruga e kalldrëmtë që të çon në këtë monument është e pastruar dhe mirëmbajtur. “Përgjatë verës ne do të kujdesemi vazhdimisht për pastrimin e rrugëve të kalldrëmta që të çojnë në kalanë e gurtë, mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik, etj”, pohojnë përfaqësuesit e Bashkisë Gjirokastër. Pak histori Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot. Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e kalasë pret me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare, në kuadër të organizimit të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. Kalaja e gurtë është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e UNESCO-s.http://ata.gov.al/2022/07/24/nga-gjermania-ne-australi-turistet-e-veres-ne-kalane-e-argjiros/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments