Gjatë audiencës së tij të parë me median ndërkombëtare, papa Leone XIV bëri sot një apel për lirinë e medias dhe kërkimin e së vërtetës.
“Duhet t’i themi ‘jo’ luftës së fjalëve dhe imazheve. Duhet ta hedhim poshtë paradigmën e luftës”, tha papa i sapozgjedhur në Romë.
Ai u bëri thirrje gazetarëve të “përpiqen për një komunikim të ndryshëm, një komunikim që nuk kërkon konsensus me çdo kusht, nuk përdor fjalë agresive, nuk ndjek kulturën e konkurrencës”.
“Paqja fillon me secilin prej nesh në mënyrën se si i shohim të tjerët, i dëgjojmë të tjerët dhe flasim për të tjerët. Në këtë kuptim, mënyra se si komunikojmë është me rëndësi themelore”, tha pasardhësi i papa Françeskut.
Leone XIV u prit me brohoritje dhe duartrokitje nga gazetarë nga e gjithë bota kur hyri në auditor.
Më pas ai bëri shaka në anglisht kur tha se “thonë se kur duartrokasin në fillim, nuk ka shumë rëndësi. Nëse jeni ende zgjuar në fund dhe ende dëshironi të duartrokisni, faleminderit shumë”.
Leone XIV riafirmoi solidaritetin e kishës me profesionistët e medias të burgosur në mbarë botën dhe bëri thirrje për lirimin e tyre.
“Vuajtjet e këtyre gazetarëve të burgosur sfidojnë ndërgjegjen e kombeve dhe të bashkësisë ndërkombëtare, duke na bërë thirrje të gjithëve të mbrojmë dhuratën e çmuar të lirisë së fjalës dhe të shtypit”, tha ai.
Ish-kardinali dhe papa i ri Robert Francis Prevost komentoi gjithashtu mbi zhvillimet teknologjike, në veçanti inteligjencën artificiale.
”Kjo ka potencial të madh”, tha ai, ”por kërkon përgjegjësi dhe gjykim”.
Papa Leone XIV u bë të enjten e kaluar qytetari i parë amerikan që zgjidhet papë