Policia e Kosovës zhvilloi një ushtrim të koordinuar me KFOR-in, i cili u realizua në zonën e veriut të Republikës së Kosovës. Siç njofton policia, ushtrimi kishte për qëllim demonstrimin e ndërveprueshmërisë dhe koordinimit të lartë ndërmjet të dy institucioneve të sigurisë.

“Ky aktivitet ishte rezultat i një planifikimi të kujdesshëm dhe ekzekutimi të suksesshëm, duke reflektuar afërsinë institucionale dhe përpjekjet e koordinuara për të garantuar një ambient të sigurt, si dhe për të siguruar një reagim të shpejtë dhe efikas ndaj çdo sfide të mundshme në aspektin e sigurisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej thuhet se Policia e Kosovës dhe KFOR-i mbesin të përkushtuara në promovimin dhe ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.