Konsumatorët amerikanë do të përballen me efektet e tarifave më të larta për mallrat e importuara direkt nga Kina – pasi përjashtimi për mallrat me vlerë më pak se 800 dollarë u ndërpre.

Shitësit kinezë me pakicë online, si “Temu” dhe “Shein”, e përdorën gjerësisht përjashtimin për t’ju shitur klientëve amerikanë mallra direkt nga Kina.

Përjashtimi “de minimis”, siç njihet, lejonte që dërgesat e mallrave me vlerë 800 dollarë ose më pak të vinin në SHBA pa taksa, shpesh duke anashkaluar inspektimet dhe dokumentet që kërkonin shumë kohë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur tarifa që arrijnë deri në 145% për shumicën e mallrave të importuara nga Kina.

“Wall Street Journal” raportoi se dy shitësit me pakicë kishin rregulluar çmimet e tyre në faqet e tyre të internetit javën e kaluar, duke i rritur ato deri në 100%.

Rregulli i ri pritet të ketë një ndikim të madh në blerjet online. Transmetuesi CNN raportoi se në vitin e fundit fiskal, 1,36 milionë pako që përdorën përjashtimin kishin hyrë në SHBA.

Përjashtimi i përdorur deri më tani njihej si rregulli “de minimis”. Blerësit tani do të përballen me mallra me tarifa më të larta, si dhe me dokumentacion të shtuar