Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi e cila do të lehtësojë shfrytëzimin e materialeve të koleksionit të BKSH-së, të cilat dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës.
Marrëveshja është nënshkruar nga krerët e dy institucioneve. Drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, shoqëruar nga drejtorja e Divizionit për Përpunim dhe Arkivim, Kimete Haxholli, në përfundim të takimit vizituan dhe ambientet e dy godinave të Bibliotekës Kombëtare dhe sallat respektive të leximit, ku dhe u njohën nga afër me mënyrat e përpunimit dhe ruajtjes së materialeve të ndryshme bibliotekare.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ruan çdo botim në Republikën e Shqipërisë në fondin e saj të koleksioneve, ndër to: libra, periodikë, disertacione.
BKSH u uroi punë të mbarë kolegëve nga IKKL-ja dhe shprehu mirënjohje e respekt për misionin human që ata kanë ndërmarrë.