Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca prezantoi sot projektin “Mes Semanit e Vjosës”, i cili parashikon një transformim të zonës bregdetare të Darëzezës, duke krijuar kështu një pol të rëndësishëm turistik dhe ekonomik.
Në fjalën e saj, Greca tha se “ky zhvillim turistik i territorit të Darëzezës t’i shërbejë pikë së pari komunitetit. Turistët patjetër janë të mirëpritur nga Shqipëria dhe mbarë bota, por duam që komuniteti lokal të jetë i mirëshërbyer në këtë territor. Nuk e kam fjalën për banorët e bashkisë së Fierit, por edhe për banorët e Darëzezës”.
Ne në këtë plan, vijoi Greca, synojmë që qendra e fshatit të Darëzezës, që është vendbanimi më afër me këtë zonë t’i shtojmë edhe një qendër të re që do të jetë e pajisur me infrastruktura nga më të ndryshmet që i duhen një komuniteti për të funksionuar me çerdhe, kopshte shkolla të rikonstruktuara apo të reja sipas nevojës.
“Do të ketë edhe një treg të madh për tregtimin e produkteve lokale, i cili do t’i shërbejë jo vetëm fshatit, por edhe territorit turistik që do të zhvillohet aty, por edhe bashkisë së Fierit. Nga gjithë ky zhvillim do të kemi punësim të shtuar, por edhe trajnim cilësor të personave, komunitetit, të cilët do të jenë të drejtuar nga shërbimet turistike”, theksoi Greca.
Greca vuri në dukje se “do të ketë edhe një transport publik të shpejtë duke vënë në funksione dhe mjetet elektrike. Energjia e rinovueshme është një element i rëndësishëm sepse na ndihmon që të kursejmë resurse, por edhe të sigurojmë një shërbim me vlerë më të ulët”.
Më tej, Greca foli për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
“Në bregdetin prej 21 km nga Semani në Vjosë, do të ketë shëtitore bregdetare për të shijuar e mbledhur aty vizitorët dhe komunitetin lokal. Në vijën e parë do të ketë shërbime turistike, si hoteleri, bare, restorante, shërbime që i shërbejnë një komuniteti shumë të gjerë. Vija e parë i përket të gjithëve më pas mund të kemi diferenca në përdorimin e tokës. Do të ketë një mol në mënyrë që turizmi bregdetar të jetë i shërbyer edhe nga uji. Mund të kemi transport detar që turistë të ndryshëm mund të vijnë edhe nëpërmjet detit, por edhe për të shfrytëzuar detin me sporte ujore. Ka potencial shumë të madh për të bërë sporte në natyrë, për të krijuar parqe të mëdha”, nënvizoi Greca.
Ajo shtoi se “kemi menduar edhe struktura turistike për akomodim sezonal, që janë më se të nevojshme e të domosdoshme duke u nisur nga të gjitha eksperiencat botërore”.
“Për aktivitetet social-kulturore do të ketë kinema verore, amfiteatër që i shërben komunitetit dhe turistëve, kampet verore për fëmijë janë të domosdoshme dhe do t’i sjellin gjallëri zonave turistike, duhet t’i kemi patjetër këtu, po ashtu edhe akuapark”, tha Greca