Fermerëve në të gjithë vendin do t’u ofrohet mbështetje për certifikimin Global GAP për të rritur standardet e prodhimit në bujqësi.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 ofron subvencione për certifikimin me standardin ndërkombëtar Global GAP.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se nga masat mbështetëse përfitues të mundshëm mund të jenë fermerë individualë, SHBB, person fizik ose juridik.
Masa e përfitimit për certifikimin individual do të jetë sa 50% e vlerës totale të faturës tatimore, deri në shumën 175 000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 1 hektar. Ndërsa, masa e përfitimit për certifikimin në grup-fermerësh do të jetë deri në 500 000 lekë, për grupe fermerësh prej 10 anëtarësh me sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.
Gjithashtu, masa mbështetëse do të jetë deri në 700 000 lekë për grupe fermerësh prej 20 anëtarësh, me sipërfaqe jo më pak se 15 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 30 ha në fushë të hapur.
Thirrja për aplikime në 8 masat mbështetëse të Skemës Kombëtare në Bujqësi 2025 vijon të jetë e hapur deri më 30 maj 2025.