Eksportet shqiptare drejt Spanjës kanë njohur një rritje të ndjeshme gjatë muajve të parë të vitit 2025, duke u rritur me plot 103,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky është një nga ritmet më të larta të rritjes ndër partnerët tregtarë të Shqipërisë për këtë vit.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë pasur eksportet e mineraleve dhe artikujve prej metali, të cilat po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të tregtisë mes dy vendeve. Produktet si hekuri, çeliku dhe nënproduktet e tyre janë mes më të eksportuarve drejt tregut spanjoll.
Në vlerë eksportet shqiptare drejt Spanjës gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti arritën 4,7 miliardë lekë, nga 2,3 miliardë lekë që llogariten në tremujorin e parë të 2024-ës.
Rritje shënuan edhe importet nga Spanja. Të dhënat tregojnë se ato arritën në 3,2 miliardë lekë nga 2,9 miliardë që ishin në të njëjtën periudhë të 2024-ës.
Spanja po del në pah si një treg i ri potencialisht strategjik, duke i dhënë një shtysë të re përpjekjeve të vendit për diversifikimin e partnerëve tregtarë.
Kjo prirje shihet si një mundësi e mirë për rritje ekonomike, sidomos në sektorin e industrisë së përpunimit të metaleve, një fushë ku Shqipëria po tregon potencial gjithnjë e më të madh për eksport.