Nga 1 janari 2026, të gjitha produktet ushqimore që qarkullojnë në tregun shqiptar duhet të përmbajnë një kod identifikimi të njohur si “lot”, i cili do të vendoset në etiketë për të garantuar gjurmueshmëri të plotë në zinxhirin ushqimor.
Kjo masë vjen si pjesë e udhëzimit të ri të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “Mbi treguesit ose shenjat që identifikojnë lot-in” që i përket një produkti ushqimor, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe synon të rrisë sigurinë ushqimore në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas relacionit që shoqëron këtë udhëzim, “masat e reja kanë për qëllim të forcojë sistemin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore nëpërmjet vendosjes në faza të ndryshme të zinxhirit ushqimor të lot-it, të formuluar me tregues identifikues me shkronja ose numra, duke u mundësuar autoriteteve kompetente dhe operatorëve të biznesit të monitorojnë dhe të menaxhojnë në mënyrë efektive produktet ushqimore.
“Çdo produkt ushqimor do të duhet të ketë të shënuar një tregues unik, të formatuar me shkronja ose numra, që tregon kohën dhe vendin e prodhimit, përpunimit ose paketimit. Ky tregues do t’i paraprijë shkronja “L”, përveç rasteve kur identifikimi është i qartë edhe pa të”, thuhet në udhëzimin e MBZHR.
Produktet që janë etiketuara përpara hyrjes në fuqi të udhëzimit do të lejohen të qëndrojnë në treg deri në përfundimin e stoqeve, ndërsa AKU është ngarkuar të monitorojë këtë proces kalimtar.