Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP në Shqipëri bën të ditur se, në bashkinë Kavajë, programi “EU4Schools” ka bërë të mundur riparimin dhe përforcimin e plotë të 5 objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, 2019.

Konkretisht, është bërë ndërhyrja tek: Shkolla 9-vjeçare “Mehmet Babamusta”;  Shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Fiqiri Kurti”; Shkolla 9-vjeçare “3 Dëshmorët”; Shkolla 9-vjeçare dhe  kopshti Karpen, Golem dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Charles Telford Erickson”, Golem.

“Ne jemi të lumtur që në Kavajë falë EU4Schools kemi garantuar mjedise bashkëkohore sikurse në vendet e BE-së për afro 1,700 nxënës, fëmijë dhe mësues, pjesë të këtyre institucioneve ku përfitojnë gjithashtu 41,000 banorë të komuniteteve të prekura”, shprehet UNDP në Shqipëri.

Bashkia Kavajë është një prej 11 bashkive më të prekura, ku “EU4Schools” ka ndërhyrë me rindërtimin dhe/ose riparimin e objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar i 2019-tës.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Deri tani në kontekstin e këtij projekti janë përfunduar 59 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-tës, duke ndikuar në jetën e mbi 25,000 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve.