Ishulli i Sazanit – në brigjet e gadishullit të Karaburunit në Shqipëri – është hapur së fundmi për vizitorët, por historia e tij mbetet ende një mister, shkruan Aditi Rane në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express.

Vitet e fundit, Shqipëria ka fituar popullaritet si një nga destinacionet e preferuar për pushime – falë plazheve dhe peizazheve të saj mahnitëse, por një ishull i pazakontë është kthyer në trend për një arsye tjetër.

Në brigjet e gadishullit të largët të Karaburunit të Shqipërisë, ishulli i Sazanit mbetet një nga destinacionet më misterioze dhe më pak të njohura të Evropës.

Pavarësisht bukurisë së tij magjepsëse – ishulli 5,7 kilometra katrorë – ka qenë prej kohësh i ndaluar për vizitorët – për shkak të së kaluarës së tij të errët ushtarake.

Dikur një bazë strategjike e nëndetëseve dhe armëve kimike për Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, tani ishulli është shndërruar në një zonë me interes për vizitorët që tërhiqen nga turizmi i errët.

Ishulli i Sazanit luajti një rol kyç në mbrojtjen ushtarake të Shqipërisë. Rrjeti i tij i bunkerëve dhe tuneleve nëntokësore, i ndërtuar për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore, mbetet ende i fshehur nën peizazhin e tij të thyer.

Megjithëse ishulli tani është shtëpia e një baze ushtarake shqiptaro-italiane – ai ka filluar dalëngadalë të mirëpresë vizitorë kureshtarë.

Në verën e vitit 2017, një pjesë e vogël e ishullit të Sazanit u hap zyrtarisht për turistët, duke i lejuar ata të eksploronin plazhet e tij të pacenuara, strukturat e braktisura ushtarake dhe reliket e frikshme të Luftës së Ftohtë – për herë të parë.

Sot, aventurierët mund “të lundrojnë” në rrënojat e saj të tmerrshme, të dëshmojnë bukurinë e saj natyrore të paprekur – dhe madje të eksplorojnë labirintin e nëndheshëm që dikur mbronte operacionet më të fshehta ushtarake të Shqipërisë.

Pavarësisht të kaluarës së tij të trazuar, ishulli i Sazanit është një parajsë për adhuruesit e natyrës.

Ishulli është i rrethuar nga ujëra të pastra kristal, shkëmbinj dhe limane të fshehura që ofrojnë pamje mahnitëse të deteve Adriatik dhe Jon.

Me klimën mesdhetare dhe bimësinë e harlisur e të egër, shfaqet një kontrast i fortë me strukturat e tij të shkreta dhe të braktisura.

Ndonëse ishullit i mungon ende një infrastrukturë turistike e plotë, turet me varka nga Vlora tani i lejojnë vizitorët të shkelin në këtë tokë – dikur të ndaluar.

Ndërkohë që aksesi i plotë në tunelet ushtarake mbetet i kufizuar, turet më këmbë ofrojnë një mundësi për të parë nga afër historinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë.

Ata që kërkojnë një destinacion unik rekomandohen të vizitojnë ishullin e Sazanit – i cili ofron një ndërthurje magjepsëse të historisë, misterit dhe bukurisë natyrore – duke e bërë atë një udhëtim të domosdoshëm për turistët e guximshëm që kërkojnë të eksplorojnë xhevahiret e fshehura të Evropës.