Shefi i NATO-s ngriti sot shqetësimin për grumbullimin e armatimeve dhe manovrat ushtarake të Kinës pranë Tajvanit dhe u bëri thirrje anëtarëve të organizatës dhe vendeve mike që të punojnë së bashku për të mbajtur korsi të lira dhe të hapura detare në rajon, sipas AP.

“Kina po mbështet përpjekjet e Rusisë. Kina po ndërton forcat e saj të armatosura, përfshirë flotën e saj, me një ritëm të shpejtë”, u tha gazetarëve sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte – ndërsa përfundoi vizitën e tij në portin e marinës japoneze në Yokosuka.

“Ne nuk mund të jemi naivë dhe duhet të punojmë së bashku, të vlerësojmë atë që po ndodh”, tha ai.

Rutte tha se NATO është e shqetësuar për manovrat ushtarake të Kinës pranë Tajvanit dhe se aleanca po i ndjek ato nga afër.

Japonia e konsideron Kinën një kërcënim në rajon dhe vitet e fundit ka përshpejtuar forcimin ushtarak, duke përfshirë përgatitjen për të përvetësuar aftësinë e sulmit me raketa me rreze të gjatë.

Japonia, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zgjeruar lidhjet e saj të mbrojtjes me vendet e tjera mike në Indo-Paqësorin dhe Evropën – ndërsa NATO thotë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës rrezikon sigurinë në Evropë dhe Azi.

“SHBA-ja dëshiron që anëtarët e NATO-s të përfshihen më shumë në rajonin Indo-Paqësor”, tha Rutte.

Ai përshëndeti udhëtimin e fundit të sekretarit të mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth në Japoni për të siguruar angazhimin e Uashingtonit për të forcuar aleancën e tij me Japoninë dhe praninë në rajon.

Rutte theksoi rëndësinë e tij, duke vënë në dukje se Japonia është i vetmi anëtar i Grupit të Shtatë që nuk është në NATO.

NATO ka forcuar gjithashtu lidhjet e saj me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re, të njohur si IP4, vitet e fundit, me zyrtarët e tyre që marrin pjesë në takimet ministrore dhe samitet e NATO-s.

Kreu i aleancës ushtarake ka planifikuar sot në mbrëmje bisedime me ministrin japonez të Mbrojtjes Gen Nakatani dhe me kryeministrin Shigeru Ishiba.

Ishiba ka mbrojtur një kornizë sigurie të ngjashme me NATO-n në Azi, megjithëse ai nuk ka dhënë detaje.

Vendet me shqetësime të përbashkëta për sigurinë po forcojnë lidhjet ndërsa konkurrenca mes SHBA-së dhe Kinës përshkallëzohet.

Pekini ka kritikuar lidhjet në rritje të NATO-s me partnerët Indo-Paqësor, i shqetësuar se Uashingtoni mund të lëvizë për të formuar një aleancë të ngjashme me NATO-n në rajon.