Njësia Lëvizëse e Dhurimit të Gjakut këtë javë ka ndaluar në disa nga Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) – në Pojske, IEVP “Jordan Misja”, Elbasan dhe Tiranë – duke zgjeruar kështu këtë nismë jetësore që shpëton jetë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, javën që vjen, Njësia Lëvizëse e Dhurimit të Gjakut do të jetë pranë IEVP Shënkoll, Korçë, Durrës dhe Peqin, duke vijuar me përkushtim misionin për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.
Koçiu falënderoi Flotën Detare në Vlorë, e cila iu bashkua kësaj nisme me një sensibilizim të përbashkët dhe dhurime me vlerë të jashtëzakonshme.
“Një dhurim i vogël, një jetë e shpëtuar! Bëhu edhe ti drita e shpresës për ata që kanë më shumë nevojë”, theksoi ministrja Koçiu.