Fluks aplikimesh në të parin konkurs mbarëkombëtar të pikturës për fëmijë

0
2

Drejtorja e QKKF-së, Melsi Qirici, tha për ATSH-në se kjo është hera e parë që bëhet një konkurs mbarëkombëtar që përfshin të gjitha trevat shqipfolëse.

Fillimisht për pranimin e aplikimeve u la si afat përfundimtar data 31 mars, por siç shpjegoi drejtorja Qirici, prej aplikimeve të shumta, ky afat u shty deri më 27 prill.

“Deri më tani kanë ardhur 240 punime nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe priten ende të tjera. Në muajin maj do të shpallen fituesit e këtij konkursi mbarëkombëtar dhe më pas do të ketë edhe një ekspozitë me punimet e finalistëve. Do të ketë çmime dhe kupa për fituesit e secilës kategori”, u shpreh për ATSH-në, Melsi Qirici.

Kategoritë e pjesëmarrësve janë tri: për moshat 6-9 vjeç, 10-12 vjeç dhe 13-15 vjeç.

Pjesëmarrësit mund të dërgojnë ende punimet e tyre me temën: “Një ëndërr”.

Organizatorët i ftojnë fëmijët të pikturojnë një ëndërr ashtu siç ata e imagjinojnë, duke e shfrenuar fantazinë.

Përmes teknikave të akrilikut, akuarelit, ngjyrave të drurit, lapustilave, pastelit, grafikës, teknika mikse, etj., fëmijët duhet të pikturojnë mbi një letër/karton format A3 dhe më pas të dërgohet me postë tek Teatri i Kukullave.

Një juri e jashtme profesionistësh, e përbërë nga emra të njohur të artit pamor do të përzgjedhë punimet më të mira të çdo kategorie, prej të cilave do të dalin nga tre fitues për secilën kategori. Vetëm konkurrentët finalistë nga secila kategori do të njoftohen për të marrë pjesë në ekspozitën që do të organizohet me këtë rast në Tiranë.