Katër ide novatore për adresimin e sfidës së mbetjeve të qelqit në Shqipëri do të mbështeten financiarisht përmes programit “Lab of Tomorrow 23”, nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.

Pas katër muajve inkubimi, ku bizneset u mbështetën me ekspertizë ligjore dhe teknike, u prezantuan katër projekte që synojnë krijimin e një infrastrukture të plotë për të reduktuar ndjeshëm mbetjet nga ambalazhet e qelqit në vend, të cilat llogariten në rreth 40 mijë tonë në vit.

Me një financim prej 200 mijë euro, Lab of Tomorrow po mbështet pilotimin e këtyre zgjidhjeve inovative për menaxhimin e mbetjeve të qelqit në Shqipëri.

Katër ide inovative që do të transformojnë menaxhimin e mbetjeve të qelqit synojnë: Krijimin e një sistemi për rimarrjen mbrapsht, pastrimit dhe ripërdorimit të shisheve të qelqit për mikrobirrari vendase dhe kantina vere; Riciklimin e qelqit për të prodhuar nënprodukte të reja qelqi, si pllaka terrazzo dhe material filtri/ glass filter media për ambiente ujore artificiale; Zhvillimin e një sistemi qarkullues, për rimarrjen mbrapsht, pastrimin dhe ripërdorimin e shisheve të qelqit në Gjirokastër me aktorë lokalë dhe shndërrimin e mbetjeve të qelqit/upcycling në produkte artistike dhe funksionale.

Duke përshëndetur këtë nisëm, dr. Iven Schad, shefi i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën gjermane në Tiranë, theksoi rëndësinë e përfshirjes së sektorit privat në ekonominë qarkulluese, duke e konsideruar këtë qasje si një shtysë për inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend. Ndër të tjera ai theksoi rëndësinë e ideve të cilat adresojnë si ekosistemin e bizneseve, ashtu edhe mendësinë e konsumatorëve dhe sensibilizimin e tyre në mos hedhjen e paketimeve të cilat mund të ripërdoren.

Edvin Pacara, menaxher i Programit për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, e vuri theksin te krijimi i vendeve të reja të punës në ekonominë e gjelbër, duke evidentuar potencialin që ka ky sektor për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.

Ky aktivitet është pjesë e programit Lab of Tomorrow, edicioni i 23-të i të cilit vjen për herë të parë në Shqipëri, dhe bëri së bashku 23 biznese, ekspertë dhe organizata. Ky program është i mbështetur nga projekti BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të jetueshme, një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), dhe i zbatuar nga GIZ Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (MoTE).

Katër ekipet e bizneseve që do të mbështeten do të kenë gjashtë muaj për të testuar dhe për të sjellë zgjidhjet e propozuara në treg.

Përmes këtij programi, bizneset e sektorit të HORECA, si kantinat e verës, birraritë dhe agroturizmit do të kenë mundësinë të zhvillojnë dhe të luajnë një rol aktiv në avancimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve nga paketimet e qelqit.

Projekti BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të jetueshme synon të përshpejtojë tranzicionin e Shqipërisë drejt një ekonomie qarkulluese, të fuqizojë bashkitë për të zhvilluar qytete të jetueshme dhe të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin e gjelbër.