Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara ndaj NATO-s si kurrë më parë, por kërkojnë që aleatët evropianë të shpenzojnë shumë më tepër për mbrojtjen, tha sot sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa shtoi se SHBA-ja do t’u japë aleatëve pak kohë për ta bërë këtë, sipas “Reuters”.

Deklarata e Rubio erdhi gjatë një takimi me ministrat e Jashtëm të NATO-s të mbledhur sot në Bruksel.

Fjalët dhe veprimet e administratës Trump kanë ngritur pikëpyetje për të ardhmen e NATO-s, aleancës transatlantike që ka qenë themeli i sigurisë evropiane për 75 vitet e fundit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në NATO… SHBA-ja është po aq aktive në NATO sa ka qenë”, u tha Rubio gazetarëve, duke hedhur poshtë dyshimet rreth këtij angazhimi si “histeri”.

Rubio shtoi se Trump nuk ishte kundër NATO-s. Ai është kundër një NATO-je që nuk ka aftësitë që i nevojiten për të përmbushur detyrimet që traktati i imponon çdo shteti anëtar.

Trump tha më herët, se aleanca ushtarake duhet të shpenzonte 5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen – një rritje e madhe nga objektivi aktual prej 2% dhe një nivel që asnjë vend i NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e arrin aktualisht.

Uashingtoni gjithashtu u ka thënë qartazi vendeve evropiane se nuk mund të fokusohet më kryesisht në sigurinë e kontinentit.

Aleatët evropianë kanë kërkuar detaje rreth kornizës kohore dhe masës në të cilën SHBA-ja synon të reduktojë angazhimin e saj në NATO për javë të tëra, në mënyrë që të koordinojë procesin e një rritjeje të mbrojtjes evropiane për të shmangur boshllëqet e sigurisë në Evropë.

Ministrat evropianë pritet të përdorin takimin për të shfaqur planet e tyre për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Sipas vlerësimeve të NATO-s, 23 nga 32 anëtarët e aleancës arritën ose tejkaluan objektivin prej 2% vitin e kaluar.

Disa nga ekonomitë e mëdha të kontinentit, si Italia dhe Spanja, ishin ndër vendet me objektivin, përkatësisht rreth 1,5% dhe 1,3%.

Ministrat evropianë gjithashtu ka të ngjarë të përdorin takimin për të ndikuar në bisedimet që Trump ka nisur me Rusinë për luftën në Ukrainë, e cila u shkaktua nga pushtimi i Moskës në vitin 2022.

Besimi evropian në SHBA – si mbrojtësi përfundimtar i kontinentit kundër çdo sulmi nga Rusia është tronditur rëndë nga tentativa e afrimit të Trump me Moskën dhe presioni i madh ndaj Kievit, ndërsa ai kërkon t’i japë fund luftës.