Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e cilësoi Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, një dritë jeshile në përmbushjen e aspiratës së Kombit tonë drejt integrimit evropian. Në një reagim, Krifca tha se “tre kapitujt e Bujqësisë: Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Siguria Ushqimore, Veterinaria dhe Politika Fitosanitare dhe Peshkimi, do të përbëjnë negociata komplekse dhe të forta gjatë rrugës sonë të afrimit të mëtejshëm të standardeve të sigurisë ushqimore, zhvillimit rural dhe skemave të politikës bujqësore me Bashkimin Evropian”. “Ne do ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor, për të garantuar akses në ushqim me standarde të larta sigurie dhe cilësi ushqimore, për të mbrojtur natyrën dhe mjedisin duke rritur të ardhurat e fermerëve, bletarëve, peshkatarëve dhe banorëve të zonave rurale”, nënvizoi Krifca. Sipas saj, bujqësia ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, në aspektin ekonomik, social dhe në ruajtjen e natyrës dhe vlerave të shoqërisë sonë. “Shqipëria e ka nisur rrugën e saj të integrimit në bujqësi më përafrimin e një sërë aktesh të legjislacionit, strukturën organizative institucionale, zbatimin e programit IPARD, por këtej e tutje do të ndërmarrë hapa edhe më të shpejtë e të nevojshëm për të afruar më tej sektorin tonë bujqësor me Bashkimin Evropian. Hapja e negociatave dhe Integrimi do të na bëjnë më rezistent dhe do të hapin një sërë mundësish të reja e të mëdha për bujqësinë, për ekonominë, për Shqipërinë”, tha Krifca.https://ata.gov.al/2022/07/19/krifca-negociata-komplekse-per-3-kapitujt-e-bujqesise-ne-rrugen-e-afrimit-me-be-ne/