Sektori i peshkimit, po mbështetet për herë të parë këtë vit me subvencione nga skema kombëtare e bujqësisë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, masa e peshkimit për rinovimin dhe modernizimin e flotës ka aktualisht 56 aplikime për riparimin e motorëve dhe pajisjeve të ekuipazhit. Sipas MBZHR, të 56 aplikimet po shqyrtohen dhe plotësohet me dokumentacion përkatës për të përthithur brenda fundit të këtij viti, mbështetjen financiare nga fondet e buxhetit të shtetit. Në Skemën Kombëtare të këtij viti, masat mbështetëse 8 për subvencionim 50% të vlerës të blerjes së anijes së peshkimit parashikon një financim jo më shumë se 13,500,000 lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt. Sektorit të peshkimit vitet e fundit i janë krijuar një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit. Ndërsa investimet të kombinuara më kërkesën në rritje të tregut të huaj, kanë sjellë që eksporti i peshkut të shënojë rritje të ndjeshme vitet e fundit. Rritja e eksporteve në këtë segment erdhi pas zgjerimit të investimeve, falë mbështetjes së programeve që adresoi qeveria për financimin e industrisë së peshkut. Sot eksporti i peshkut ka shënuar një rritje të shumëfishtë. Në krahasim me 2013-ën eksportet janë rritur 4 herë më shumë. Në 2013 u eksportuan 1705 tonë, ndërsa në 2022 mbi 9 219 tonë. Në vendin tonë janë 745 anije peshkimi./https://ata.gov.al/2022/07/19/56-subjekte-subvencionim-50-te-fatures-per-blerjen-e-anijeve-te-peshkimit/