Gjatë 30 viteve të fundit, sipas raportit të Bankës Botërore “Gratë, Biznesi dhe Ligji”, Shqipëria është ngjitur në renditje, duke e përmirësuar rezultatin e saj nga 59,4 në 91,3 pikë dhe duke u pozicionuar në vendin e 36-të nga 190 vende.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas 2025, BB vlerësoi fuqinë dhe potencialin e grave dhe vajzave në transformimin ekonomik dhe social të shoqërisë.
Banka Botërore ka mbështetur Shqipërinë në zgjerimin e barazisë gjinore, duke krijuar vende të reja pune, duke forcuar mbrojtjen ligjore dhe duke promovuar mundësi të barabarta në arsim, si dhe fuqizimin e grave në drejtim dhe në vendin e punës.
Këto reforma, vlerëson BB, po sjellin ndryshim të vërtetë në ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme në Shqipëri.
BB thekson se, zbatimi në vendin tonë i projektit të parë të këtij lloji, për Politikat e Zhvillimit, me fokus barazinë gjinore, ka luajtur një rol kyç në nxitjen e reformave kryesore, duke vendosur një precedent të fortë për politikat që fuqizojnë gratë.