Gonxhja informoi për lehtësitë fiskale që i ofrohen biznesit dhe nxisin sipërmarrjet dhe investimet e reja në sektorët prioritarë të ekonomisë së vendit.

Konkretisht, deklaroi ministri, “taksat mbi pagat janë ndër më të ulëtat në rajon, duke ulur më tej shpenzimet operacionale për bizneset; Raporti kosto-përfitim për krijimin e bizneseve të reja në Tiranë, siguron kthim maksimal nga investimi; Pagat dhe kostot sociale janë 150% të zbritshme për vitin e parë; Kostot e trajnimit dhe shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin shkencor do të jenë me vlerë të dyfishtë, për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i aktivitetit ekonomik”.

“Zhvilluesit dhe investitorët do të përfitojnë nga forca e punës konkurruese, e arsimuar dhe shumëgjuhëshe e Shqipërisë”, u shpreh Gonxhja.

Qëllimi i këtij projekti, theksoi ministri, është të sjellim inovacione të shpejta dhe të qëndrueshme, për një Shqipëri më të fortë dhe më të përparuar.

Zona e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik (TEDA) përbën një potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

Përmes TEDA Tirana, synohet thithja e investimeve të huaja direkte, duke zgjeruar gamën e industrive operuese në tregun shqiptar, me fokus tek industritë prodhuese, si sektori automotiv, teknologjia e informacionit, elektronikë, bioteknologji, tech-logistics etj.

Përmes TEDA Tirana, qeveria dhe bashkia kanë krijuar një stacion duke i dhënë një status ligjor kësaj zone të lirë ekonomike, ku një kompani mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u akomoduar në të.