Aksioni për mbjelljen e 300 fidanëve u zhvillua nga stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier dhe vullnetarë nga shoqëria civile të ardhur nga Tirana dhe Durrësi.
Përveç mbjelljes së pemëve pjesëmarrësit vëzhguan edhe zogjtë (birdwatching), për t’u njohur kështu nga afër me shpendët e bukur të parkut.
Në zonat e mbrojtura në vend vitet e fundit vijon shtimi i sipërfaqeve të pyllëzuara me pemë të reja. Këto zona janë një pasuri me vlerë të çmuar jo vetëm për habitatin natyror, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është kompleksi ligatinor më i madh në Shqipëri, ku Laguna e Karavastasë, është një nga më të mëdhatë në Detin Mesdhe, e njohur si një ligatinë me rëndësi të lartë në nivel ndërkombëtar nga Konventa Ramsar (1994).
Laguna e Karavastasë është e mirënjohur për koloninë e saj të species së rrezikuar botërore të pelikanit dalmat (Pelecanus crispus). Prania e këtyre shpendëve është edhe një nga arsyet kryesore që laguna e Karavastasë është përcaktuar si Zonë Ramsar e Rëndësisë Ndërkombëtare.