Për këtë vit, është vënë re një shtim i numrit të shpendëve të ujit dhe specieve të reja në të gjitha liqenet karstike në zonën e Belshit, në Elbasan.
Kryetar i Bashkisë Belsh, Arif Tafani ndau në rrjete sociale lajmin pozitiv që vjen nga Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë për vitin 2025 për zonën e Bashkisë Belsh dhe për biodiversitetin në Shqipëri.
“Sipas këtij censi, këtë vit zonës së Belshit i është shtuar numri i shpendëve ujorë dhe specieve të reja në të gjitha liqenet karstike dhe ky është një tregues i mirë i ruajtjes dhe zhvillimit të habitatit natyror”, shkroi Tafani.
Sipas tij, ky cens ndërkombëtar na ndihmon për të vlerësuar më mirë pasurinë natyrore të Belshit dhe nxit zhvillimin e turizmit ekologjik, i cili mund të tërheqë mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Ai u shpreh optimist për krijimin e kushteve të favorshme për shtimin e numrit të shpendëve, forcimin e ekosistemeve natyrore dhe mirëmbajtjen e ekuilibrave ekologjikë.