Tirana Airport Partners, kompania që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, bën të ditur se nga 2 korriku deri më 24 tetor, “Vueling”, një nga kompanitë ajrore me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe lider në aeroportin e Barcelonës, do të operojë 4 fluturime direkte në javë midis Tiranës dhe Barcelonës.
“Rritje e lidhjeve ajrore me Spanjën dhe më tej përmes hub-it të Barcelonës. Një zgjedhje strategjike për pasagjerët shqiptarë që kërkojnë më shumë fleksibilitet në udhëtim”, bën të ditur TIA.
“Vueling”, si pjesë e grupit IAG, bën të ditur TIA, siguron një përvojë udhëtimi të standardeve më të larta dhe çmime konkurruese.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) tejkaloi shifrën e 10 milionë pasagjerëve në vitin 2024, duke vendosur kështu një tjetër rekord historik. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë që nga pandemia, me një rritje prej 225% krahasuar me vitin 2019.