“Carvan Horse Riding Albania”, që kombinon pasionin për kuajt dhe dashurinë për natyrën, është kthyer ndër atraksionet që tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj.
Kristina Fidhi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tregon se si lindi kjo ide për të ndarë me të tjerët këtë vend të jashtëzakonshëm, një nga parajsat e kalërimit në Evropë, dhe për të promovuar në mënyrë autentike e për të eksploruar Gjirokastrën dhe rrethinat e saj.
“Në fillim, ishim tre shokë të apasionuar pas kuajve dhe udhëtimeve. Bashkë vendosëm të krijonim ture kalërimi që jo vetëm ofronin aventurë dhe relaks, por edhe një mundësi për të njohur historinë dhe traditat e rajonit tonë. Filluam me një grup modest kuajsh dhe, falë dashurisë dhe punës së palodhur, sot kemi rreth 40 kuaj, me një objektiv për të arritur 50 shumë shpejt. Për ne, kali është më shumë se një mjet udhëtimi; ai është simbol i lirisë personale dhe një mënyrë për të njohur veten. Shumë nga klientët tanë të parë sot janë bërë miq të ngushtë të Caravan, duke ndarë me ne pasionin për këtë aventurë unike dhe lidhjen me natyrën”, theksoi Fidhi.