MF thekson se ky kuadër synon të ruajë një raport të balancuar dhe të qëndrueshëm të shpenzimeve buxhetore korrente dhe kapitale, ku shpenzimet kapitale, pra investimet publike, për periudhën 2026-2028 do të targetohen të jenë mesatarisht rreth 5,9% e PBB në çdo vit buxhetor.
Kjo përfshin gjithashtu investimet e reja publike, të cilat mund të realizohen në kuadër të Planit të Ri të Rritjes të implementuar nga Bashkimi Evropian.
Ky nivel i shpenzimeve kapitale tejkalon qartë deficitin e përgjithshëm fiskal të periudhës, duke targetuar në këtë mënyrë, në mënyrë konsistente, një balancë fiskale korrente pozitive, në përputhje me “rregullin e artë” të buxhetit.
Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1,9% të PBB për 2026, nga 2,6% i programuar për vitin 2025; nivelin prej 1,6% të PBB në vitin 2027 dhe 1% në 2028.
Njëkohësisht, pasi tashmë e targetuar në një nivel neutral prej 0,0 për qind e PBB për vitin 2025 (sipas ligjit të buxhetit 2025), balanca primare në përiudhën afatmesme do të targetohet në vijimësi në vlera pozitive, respektivisht 0,7 për qind e PBB për vitin 2026 në, 0,9 për qind në vitin 2027 dhe 1,4 për qind në vitin 2028.
Respektimi në mënyrë të përvitshme i këtij rregullit fiskal të parametrit të balancës primare, pritet të çojë në një reduktim të nivelit të borxhit publik bruto, rreth nivelit prej 52,1% të PBB deri në vitin 2028, nga rreth 55,2% që ishte në 2024-n.