Shqipëria do të jetë pjesë e misionit të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) “FOCOPS”, në Detin Mesdhe.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku u miratua vendimi për angazhimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në një mision jashtë vendit.

Kështu, Këshilli i Ministrave vendosi dërgimin në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe, të një anijeje të klasit “Iliria”, e kompletuar me 21 ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Misioni i anijes përfshin patrullimin, zbulimin detar, dhënien e ndihmës, njohjen e situatës detare, identifikimin, verifikimin dhe ndalimin e objekteve detare, në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2), në detet Adriatik dhe Jon, në kuadër të operacionit “Sea Guardian”.

Komandimi operacional i anijes gjatë periudhës së angazhimit do të kryhet nga komandanti i grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2. Ndërkohë, anija do të ruajë varësinë në nivel kombëtar dhe do të raportojë periodikisht për mbarëvajtjen e misionit.

Kohëzgjatja e angazhimit në operacionin e NATO-s “FOCOPS” është deri më 31 dhjetor 2028, me një periudhë shërbimi deri në 21 ditë në vit, e cila fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes në këtë operacion.