Përfundimisht, investimet e shumta dhe zhvillimi i turizmit në Gjinar kanë krijuar mundësi të reja për ekonominë lokale dhe kanë ndihmuar në rritjen e numrit të vizitorëve, duke e shndërruar këtë zonë të pasur me natyrë dhe kulturë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës dhe të zhvilluar.

Kryebashkiaku Llatja e ka cilësuar këtë si një premtim të mbajtur për komunitetin dhe një hap të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Krahina e Shpatit, ku bën pjesë Gjinari, ka një histori të gjatë. Është e banuar që nga koha e bronxit dhe këtë e dëshmojnë objekte të ndryshme të zbuluara nga arkeologët. Fshati i parë që ndeshet në rrugën për në Gjinar është Shelcani. Nuk duhet humbur rasti për të vizituar në këtë fshat kishën e Shën Kollit (Shën Nikollës), e cila  është ndërtuar në shekullin e XVI. Për afreskët e saj  punoi një prej ikonografëve më të famshëm të Shqipërisë së vjetër, Onufri. Kjo kishë është befasuese për vizitorët, sepse në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi estetike dhe admirim të veçantë.

Të tjera objekte të trashëgimisë kulturore janë Kisha e Valeshit (Kisha e Shën e Premtes), Kisha e Gjinarit, Kisha e Pashtreshit, Kisha e Sterstanit, Kisha e Shën e Premtes në Valësh e cila është ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar në tërë faqet e murit po nga Onufri (1554) në stilin bizantin. Gjithashtu, kjo kishë ka pranë Kalanë e Valeshit dhe Varrin e Kostandin Shpatarakut.