Kantinat shqiptare janë përzgjedhur dhe vlerësuar në revistën më prestigjioze franceze të verës, “La Revue du Vin de France”.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila ndau në rrjete sociale, takimin që zhvilloi me Rigersin, përfaqësues i një prej kantinave më në zë në vendin tonë, që është përfaqësuar edhe në shkrimin e “La Revue du Vin de France”.
“Në vlerësimin e verërave të kuqe, “Kallmet Rezerva 2019” renditet me pikët më të larta, 93 pikë, duke na rikujtuar edhe njëherë rëndësinë e kultivimit të variteteve autoktone shqiptare”, tha Denaj.
Sipas saj, ka edhe kantina të tjera të vlerësuara me 88-92 pikë që operojnë në zona të ndryshme të vendit dhe përfaqësojnë ekselencën e verës shqiptare.
“Ky është një moment shumë i mirë për verën shqiptare dhe një provë e pakundërshtueshme se prodhimi ynë cilësor po hyn në hartën botërore të verërave më të mira. Të jesh i pranishëm në Francë, vendin me reputacionin më të lartë në prodhimin e verës, është jo vetëm sukses, por edhe një mesazh i qartë për forcimin e prodhimeve vendase krahas atyre ndërkombëtare”, tha Denaj.
Ministrja vuri në dukje se, politikat për zhvillimin e sektorit, si Ligji i Verërave dhe Komisioni për Verërat, do të garantojnë standarde të larta, mbështetje për kantinat dhe rritje të konkurrueshmërisë ndërkombëtare.