Banka Qendrore, vitet e fundit ka zgjeruar kontributin e saj, në përgatitjen e analizave dhe kërkimeve rreth çështjeve të ndryshimeve klimatike.
Altin Tanku, drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, u shpreh se një prej masave që bankat ndërmarrin lidhur me sfidat mjedisore, është vlerësimi i aplikimeve për kredi të individëve dhe bizneseve në bazë të ndikimit që do të ketë investimi i tyre në mjedis.
Në një intervistë për mediet, Tanku theksoi se, “në rast se një institucion financiar, bankë ose jo bankë, ka dhënë një kredi për ndërtimin e një hoteli në breg të detit, në grykëderdhjen e një lumi të themi. Në rast se, në të njëjtin institucion financiar vjen për të marrë kredi edhe një kompani e cila do të bëjë fabrikë për ndërtimin e baterive të makinave. Pyetja shtrohet a duhet ta japë kredinë banka? A duhet ta vlerësojë nga këndvështrimi mjedisor kredinë, ky institucion financiar? Sepse dihet, natyrisht kur ndërton një fabrikë, që ka si synim të vet ndërtimin e baterive, në qoftë se nuk tregohet kujdes për mjedisin, ajo mundet që të ndotë mjedisin dhe kjo do të ndikonte negativisht në investimin tjetër që banka ka bërë në hotel”.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë ka hartuar edhe një strategji prej së cilës janë përgatitur disa udhëzues për bankat dhe institucionet financiare mbi ndikimin që kanë ndryshimet klimatike në ekonomi.
“Banka e Shqipërisë po punon për atë që quhet taksonomi, që është një sistem i cili klasifikon aktivitetet ekonomike, financiare, të gjitha aktivitetet në ekonomi, produktet, mallrat, shërbimet, sipas impaktit të gjelbër që kanë, i cili përmbledh ndikimet në klimë, ato mjedisore, në shumëllojshmërinë e florës dhe faunës në natyrë, e të gjitha me radhë”, tha Tanku.
Banka e Shqipërisë ka nënshkruar së fundi një marrëveshje me Bankën Evropiane të Investimeve për zhvillimin e një ekonomie më të gjelbër dhe më rezistente.