Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga sot, ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes reciproke për njohjen e patentëshoferëve mes Kosovës dhe Italisë.

“Njohja e patentëshoferëve u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë. Njëkohësisht, kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët që kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin”, thuhet në njoftim.

Finalizimi i këtij procesi sipas ministrisë është një hap i rëndësishëm për vendin dhe qytetarët.

“Me këtë rast do të riafirmohen raportet e shkëlqyera që gëzojnë Republika e Kosovës me Republikën e Italisë”, përfundon njoftimi.